
Shkollat e mesme, me lëndë me zgjedhje nga studentët
Qeveria zyrtarizon ndryshimin e skemës në sistemin prauniversitar. Tani fëmijët futen 6 vjeç në shkollë
Arsimi i mesëm, kurrikula ndahet në lëndë bërthamë dhe opsionale, të cilat mbeten në dëshirën e nxënësit
Fëmijët do të shkojnë në shkollë në moshën 6-vjeçare, dhe do të dalin prej aty pas 9 vitesh mësimore. Është e thënë e stërthënë, por tani ka marrë edhe vulën e Këshillit të Ministrave. Qeveria ka miratuar, pas propozimit të mbërritur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencave, ndryshimet në sistemin parauniversitar që prekin si arsimin bazë, ashtu edhe atë të mesëm. Ndryshimi i sistemit arsimor nga 8 në 9-vjeçar, është cilësuar si një arritje madhore e reformës tërësore të cilës i është nënshtruar sistemi i arsimit parauniversitar, në strukturë dhe përmbajtje, në zbatim të “Strategjisë kombëtare të zhvillimit të arsimit parauniversitar”.
***
Cikli i plotë 9-vjeçar do të realizohet për herë të parë gjatë vitit shkollor 2008-2009, ku arsimi bazë do të ketë strukturën 5+4. Specialistët e arsimit shprehen se kalimi në një sistem të arsimit bazë 9-vjeçar, përputhet me zhvillimet e deritanishme të sistemit tonë arsimor dhe është hap i rëndësishëm që hidhet në përafrimin e këtij sistemi me sistemet ekzistuese të shumicës së vendeve të Komunitetit Evropian dhe të Rajonit. Efektet pozitive që sjell zgjatja nga 8 në 9-të vite e arsimit bazë vlerësohet në aspektin e formimit më të mirë qytetar dhe demokratik të nxënësve, pasi rrit kohëqëndrimin e tyre në shkollë, si dhe i pajis me shprehitë, aftësitë dhe kompetencat e duhura, për t’u orientuar më mirë në vazhdimin e mëtejshëm të studimeve, në gjimnaz apo arsimin profesional. Një tjetër aspekt i rëndësishëm që sjell ndryshimi i skemës së sistemit arsimor parauniversitar është fakti se rreth 12 mijë nxënës që mbaronin arsimin e detyruar dhe nuk vijonin arsimin e mesëm do të vijojnë shkollën, duke mënjanuar futjen e tyre të parakohshme, madje në kundërshtim me ligjin, në tregun e punës. Po kështu, zgjatja e ciklit të ulët nga 4 në 5 vite, ka përparësi në lidhje me kohëzgjatjen e moshës së fëmijëve që bëjnë mësim me një mësues dhe zgjatet edhe një vit mundësia e zhvillimit të lëndëve të trajtuara në mënyrë të integruar, që sipas studimeve, rezulton mjaft e efektshme në moshat e vogla.
***
Për t’u ndalur në aspektin e përmbajtjes së kurrikulës të arsimit bazë, realizimi i arsimit bazë 9-vjeçar i ka hapur rrugë rikonceptimit tërësor të kurrikulës dhe teksteve për këtë nivel arsimi, duke mënjanuar gradualisht mangësitë e konstatuara në kurrikulën e arsimit të detyruar 8-vjeçar, që ishin; trajtimi akademik i njohurive të konstatuara në ciklin e ulët dhe në ciklin e lartë; mbingarkesa e programeve dhe teksteve me njohuri të parakohshme dhe njohuri të panevojshme; njohuri të palidhura me jetën dhe orientimin qytetar të nxënësve. Njëkohësisht, kohëzgjatja me një vit e arsimit bazë, i konceptuar në arsimin bazë 5+4, rishpërndan sistemin e koncepteve, njohurive, aftësive dhe shprehive që duhet të zotërojnë nxënësit në arsimin bazë, në përshtatje me zhvillimin social-ekonomik të vendit. Hendeku ekzistues në kalimin nga cikli i ulët në ciklin e lartë të arsimit bazë dhe nga ky cikël në arsimin e mesëm, do të zbutet si në planin e ngarkesës javore të nxënësve dhe në atë të njohurive.
***
Ndryshimi në sistemin arsimor parauniversitar, do të prekë edhe arsimin e mesëm të përgjithshëm, i cili do të ketë kohëzgjatje 3-vjeçare. Reforma në strukturë do të shoqërohet edhe me reformën kurrikulare, e cila do të sigurojë shkathtësi dhe do të japë mundësi për përmbushjen sa më të mirë të interesave të nxënësve. Konceptimi i ri i kurrikulës së re në arsimin e mesëm të përgjithshëm ka të bëjë me kurrikulën tërësore, e cila përbëhët nga: kurrikula bërthamë dhe ajo opsionale. Kurrikula bërthamë do të përmbajë lëndë të cilat shoqëria i pretendon për cilindo që përfundon arsimin e mesëm të përgjithshëm. Ndryshe do të jetë kurrikula opsionale, e cila do të përzgjidhet nga vetë nxënësit, sipas interesave të tyre për kurrikulën dhe karrierën.
Burimi i lajmit : Shekulli.com.al
- Ditari i Risi
- Identifikohu ose regjistrohu për të dërguar komente